U nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim në fushën e diasporës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Komunës së Shtipit

6 qershor 2018

Ministri në Qeverine e Republikës së Maqedonisë për Marrëdhëniet me Diasporën, Edmond Ademi, sot realizoi takim pune me prefektin e Komunës së Shtipit, Bllagoj Boçvarski në Shtip.

Në takim u hapën më shumë çështje aktuale lidhur me emigrantët nga Shtipi, si dhe mundësia e avansimit të komunikimit dhe bashkëpunimit me ata.

Në takimin ndërmjet ministrit Ademi dhe prefektit Boçvarski u vendosën parimet e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve që i udhëheqin dhe u dakorduan të punojnë së bashku. Ministri Ademi dhe prefekti Boçvarski nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e diasporës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Komunës së Shtipit.

Qëllimi kryesor është që me nënshkrimin e kësaj marrëveshje të mundësohet hapja e Zyrës për bashkëpunim me diasporën. Kjo Zyrë do të kryejë detyrat që kanë të bëjnë me punët administrative-teknike për kujdesin e emigrantëve, përkatësisht do të duhet të mbajë komunikimin me diasporën me origjinë nga komuna e Shtipit, të informojë diasporën për çështje të caktuara, si dhe të ndihmojë në rritjen e efikasitetit në kompletimin e procedurave administrative dhe zgjidhjen e problemeve administrative me karakter të ndryshëm me të cilat përballen përfaqësuesit e diasporës, si psh.: nxjerrja e dokumenteve personale, procedurat në fushën e punës dhe mbrojtjes sociale, informimi për ligje të caktuar ose ndryshime në zgjidhjet ligjore, informimi për mundësitë për investime, si dhe informim për ngjarje konkrete kulturore që do të jenë në interes të qytetarëve të diasporës me qëndrim në komunën përkatëse.

"Sot, me prefektin Boçvarski nënshkruam marrëveshjen e parë të këtillë për bashkëpunim në fushën e diasporës. Kam kënaqësinë që idenë që e filluam sot mund ta vendosim në kornizë ligjore dhe besoj që së shpejti Zyra të jetë plotësisht funksionale për të gjithë qytetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në diasporë, kurse tani verës me siguri do të vijnë në Shtip dhe rrethinë dhe do të mund ato disa ditë derisa  janë këtu t'u pëkushtohen më shumë familjeve dhe më pak burokracisë," theksoi në deklaratën e tij ministri për Marrëdhëniet me Diasporën, Edmond Ademi.

"Bëjmë një hap të madh në drejtim të përmirësimit të kushteve për të gjithë qytetarët tanë që jetojnë jashtë Republikës së Maqedonisë. Dëshirojmë të kontribuojmë që të kenë shërbime më të shpejta dhe më të mira në momentin kur ata qytetarë do të kthehen këtu, në Republikën e Maqedonisë" tha prefekti i Komunës së Shtipit, Bllagoj Boçvarski.

Zyra për bashkëpunim me diasporën do të bashkëpunojë me emigrantët nga Republika e Maqedonisë të cilët janë në punë të përhershme ose të përkohshme jashtë Republikës së Maqedonisë.

Albanian
АКТУЕЛНОСТИ: