Ministri Çupi u takua me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, znj. Kate Byrnes!

Disa ditë para udhëtimit për të takuar diasporën në Shtetet e bashkuara të Amerikës, në hapësirat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ministri përgjegjës për diasporë Dr. Xhemail Çupi priti në takim zyrtar Shkëlqesinë e saj, Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, znj. Kate Byrnes.

Ministri Çupi gjatë këtij takim shumë të frytshëm dhe përmbajtësor me ambasadoren, shfrytëzoi rastin që përmes saj ta falënderojë SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e saj euro-integrues. Në kuadër të këtij takimi ministri Çupi shpalosi strategjinë dhe projektet e punës së kabinetit të tij të cilat i dedikohen mërgatës sonë, sidomos në sferën e kulturës, shkencës, arsimit, investimeve të huaja, etj. Mes tjerash u bisedua enkas për mërgatën tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ministri parasheh ti vizitojë në ditët në vijim. Fokusi i bisedës ishte vendosja e urave të komunikimin të pushtetit qendror dhe lokal me qytetet ku është e përqendruar diaspora jonë.

Ambasadorja mirëpriti idetë dhe projektet e z. Çupi për diasporën me ç‘rast shprehu gatishmëri dhe angazhim që fokusi i bashkëpunimit të orientohet në avancimin dhe promovimin e mundësive për transferim të shpejtë, të sigurtë dhe më të lirë të remitencave devizore dhe krijimi i supozimeve për shfrytëzim më produktiv të tyre. 

Albanian