Ministri Çupi kryetarit të Komunës së Dibrës Duka i shpalosi projektet e kabinetit tij në raport me diasporën
Strategjia shtetërore për diasporë parasheh bashkëpunime edhe me pushtetin vendor, andaj sot Ministri pa resor - përgjegjës për diasporë, zhvilloi një takim pune në Komunën e Dibrës, me ç’rast u prit nga Kryetari i saj, z. Hekuran Duka. Diaspora dibrane, me theks të veçantë ajo në Amerikë dhe Evropë, për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve, meriton përkushtim maksimal. Për të arritur këtë duhet shumë punë dhe angazhim nga të gjitha palët, pavarësisht bindjeve dhe qëndrimeve politike.
Ministri Çupi kryetarit të Komunës Duka i shpalosi projektet e kabinetit tij në raport me diasporën dhe fatmirësisht arritëm në mirëkuptim që të krijojmë grupe punuese deri në finalizimin e projekteve të përbashkëta. Mes tyre: 1. Hapjen e zyrës për bashkëpunim me diasporën e quajtur “Qendra e diasporës”. Kjo zyrë do ketë disa angazhime, por më të rëndësishmet janë këto: A. “One Stop Shop”, gjegjësisht informimin e diasporës për të drejtat e tyre në vendlindje dhe mundësinë e tyre për investime. B. “Asistencë për diasporën”, gjegjësisht mundësinë për shërbime më të shpejta dhe më efikase për çështje administrative si në administratën komunale po aq edhe në institucionet publike. 2. Shpallja dhe shënimi i “Ditës së Diasporës” në kalendarin vjetor të Komunës, ku do bëhen manifestime dhe aktivitete të ndryshme kulturore, sportive dhe artistike vendore. Takime me karakter të ngjashëm planifikoj të zhvilloj edhe me komunat e tjera në Republikën e Maqedonisë së Veriut.