Ministri Xhemail Çupi priti në takim kryetarin e Bordit Drejtues të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore, z.Florim Useini
Si proces vijues nga vizita e punës e ministrit Dr. Xhemail Çupi në Konfederatën Zvicerane, Ministri Dr. Xhemail Çupi priti në takim kryetarin e Bordit Drejtues të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore, z.Florim Useini me origjinë nga RMV-ja.
Z. Useini u shpreh mirënjohës edhe një herë për takimin e përbashkët në Zvicër dhe pas bisedës lidhur me informacionet për tërheqjen e investimeve nga diaspora jonë në RMV, shprehu interesim të madh që së bashku me biznesmenë të shquar nga Zvicra të investojnë në fushën e energjetikës, respektivisht energjive të ripërtërishme dhe fotovoltaikëve në shtetin tonë.
Ministri Çupi edhe një herë e informoi për procedurën e investimit në RMV, si dhe për përfitimet që ofron vendi ynë për biznesmenët e huaj, biznesmenët nga diaspora jonë të cilët shfaqin interes për të investuar në fushën e energjetikës, pra në burimet e ripërtërishme të energjisë etj. Njëkohësisht, për realizimin e këtij bashkëpunimi, për informacion më të detajuar ministri Çupi e referoi në një takim të drejtpërdrejtë me zëvendëskryeministrin, përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin e departamenteve ekonomike dhe investimeve, z. Fatmir Bytyqin dhe ministrin e Ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshin, të cilët janë përgjegjës për bashkëpunim në fushën e energjetikës.
Ministri Çupi u shpreh se ky bashkëpunim, në këto kohëra të vështirësuara financiare, ekonomike, sidomos në fushën e energjetikës, do të finalizohet me një investim të suksesshëm dhe në dobi të të dyja palëve.