Pres-konferencë e ministrit Dr.Xhemail Çupi për projektin “Qendra për Diasporë” në nivel lokal.

" I nderuar Ministër z. Aliti, i nderuar këshilltar i kryeministrit z. Memeti, të respektuar bashkëqytetarë dhe e dashur diasporë, të nderuar përfaqësues të mediave dhe të pranishëm.
Sot kam përgatitur një prezantim të shkurtër për ta njoftuar opinionin e gjerë, mes tjerash edhe me një pjesë të realizuar me sukses të spektrit të aktiviteteve të kabinetit tim, të cilin e konsideroj të një rëndësie të madhe për të gjithë bashkatdhetarët me prejardhje nga Republika e Maqedonisë së Veriut të cilët jetojnë dhe punojnë në mbarë botën dhe që përbëjnë diasporën tonë.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vazhdimësi punon në funksion dhe në interes të diasporës dhe njëkohësisht angazhohet për përmbushjen e qëllimit dhe misionit të paraparë në Strategjinë nacionale për bashkëpunim me diasporën dhe në nenin 49 të Kushtetutës së Republikës në kontekst të kujdesit të vazhdueshëm për pjesëtarët e diasporës kudo nëpër botë.

Unë, si ministër i angazhuar për diasporë, jam plotësisht i bindur për rëndësinë dhe potencialin e jashtëzakonshëm të diasporës sonë në aspektin e zhvillimit të përgjithshëm politiko-demokratik dhe socio-ekonomik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, saqë i njëjti arrin nivelin e interesit nacional, prandaj jam veçanërisht i kujdesshëm me gjithçka që ndërlidhet me fushën time të kompetencës dhe përpiqem të jap kontributin tim maksimal për të lehtësuar proceset e përfshirjes së diasporës sonë në të gjitha sferat e jetës, si në vendin ku ata jetojnë, ashtu edhe kur kthehen në vendlindje.

Në përputhje me vizionin e përgjithshëm të inkorporuar në strategjinë nacionale dhe në drejtim të promovimit dhe institucionalizimit të bashkëpunimit efektiv në fusha të ndryshme ndërmjet Qeverisë  dhe diasporës, gjatë vizitave të mia të punës në shtetet ku kemi numër më të madh të diasporës, i kushtoj vëmendje dhe interes të veçantë hulumtimit të potencialit të diasporës nga pikëpamja ekonomike, por edhe të aspektit kulturor dhe arsimor, me qëllim të forcimit të lidhjes së tyre me shtetin amë dhe efektit pozitiv të tyre në të ardhmen.

Me rritjen e trendit të të rinjve që orientohen drejt një jete më të mirë në vendet e zhvilluara perëndimore, duke i shtuar kësaj edhe ikjen e trurit, përkatësisht migrimin e profesionistëve, mjekëve, inxhinierëve etj., shtrohet nevoja urgjente që diaspora të luajë një rol më aktiv në zhvillimin e vendit tonë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të dalin në pah sukseset e shumë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë arritur majat e suksesit të tyre në fusha të ndryshme. Kontributi i tyre nuk duhet parë vetëm në ofrimin e filantropisë, apo në tërheqjen e investimeve dhe aktiviteteve sipërmarrëse, por edhe në fushën e transferimit të aftësive të reja profesionale, si dhe në kontributin e tyre për zhvillimin e demokratizimit të vendit dhe mbrojtjen e të drejtave njerëzore.

Më lejoni t'i referohem shkurtimisht projektit aktual të Kabinetit tim për të cilën jemi thirrur:

Në interes dhe për të mirën e diasporës sonë, kam nderin dhe kënaqësinë t'ju informoj se së fundi, në emër të Qeverisë, kam përfunduar nënshkrimin e Marrëveshjeve për bashkëpunim në fushën e diasporës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe 23 komunave të RMV-së të cilat e pranuan këtë iniciativë, të cilat janë:
1.Komuna e Aerodromit; 2.Komuna e Berovës; 3.Komuna e Bosillovës; 4.Komuna e Vasilevës; 5.Komuna e Vinicës; 6.Komuna e Gostivarit; 7.Komuna e Dibrës; 8.Komuna e Dellçevës; 9.Komuna e Karposhit; 10.Komuna e Kisella Vodës; 11.Komuna e Kërçovës; 12.Komuna e Konçes; 13.Komuna e Koçanit; 14.Komuna e Krushevës; 15. Komuna e Mavrovës dhe Radostushës 16.Komuna e Makedonski Brodit; 17.Komuna e Novacit; 18.Komuna e Novo Sellës; 19.Komuna e Resnjës; 20.Komuna e Shën Nikolës; 21.Komuna e Tearcës; 22.Komuna e Qendër Zhupës; 23.Komuna e Shtipit (aneks marrëveshje).

Njëkohësisht dua të sqaroj se këto zyra në parim kanë rol ndërmjetësues dhe të njëjtat do të shërbejnë si qendra me qasje në informacionet e nevojshme dhe udhëzime shtesë, bazuar në të drejtat e pjesëtarëve të diasporës, për procedurat përkatëse, para institucioneve kompetente.

Përveç kësaj, kjo marrëveshje do të jetë një kornizë institucionale që do të mundësojë përdorimin e metodave për hartëzimin e diasporës shkencore dhe ekonomike për secilën komunë veç e veç, si një nga projektet tona primare që kanë një rëndësi të madhe.

Si aktivitet kyç, Kabineti im së shpejti do të organizojë dhe zhvillojë trajnime për ngritjen e kapaciteteve për punonjësit komunal të caktuar në ato zyra, me qëllim të fillimit të suksesshëm të detyrave të tyre ditore të punës, duke ofruar shërbime të destinuara ekskluzivisht për bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, sidomos gjatë qëndrimit të tyre në atdhe.

Në planet e mëtutjeshme, së bashku me fillimin e planifikuar të aktiviteteve të zyrave, do të fillojë edhe procesi i ardhshëm i pjesëmarrjes ndërinstitucionale, në të cilin përveç kabinetit dhe komunave do të përfshihet edhe Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës, me qëllim të funksionimit të përbashkët dhe të koordinuar, efikas dhe efektiv të këtyre qendrave, për plotësimin e nevojave thelbësore të diasporës sonë në epokën e re të dixhitalizimit përmes asistencës në shërbime elektronike.

Besoj se duke ndërmarrë, në mënyrë aktive, hapat e nevojshëm për zbatimin në praktikë të këtyre marrëveshjeve, në një të ardhme të afërt ky lloj bashkëpunimi do të tregojë rezultate të dukshme në një nivel të lakmueshëm, me mundësi të rritjes së tij në një sistem funksional të unifikuar të funksionimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në interes të diasporës.

Ju faleminderit për vëmendjen tuaj dhe ju përshëndes!"

Albanian