Fjalimi i ministrit të angazhuar për diasporë, Dr.Xhemail Çupi me të cilin e hapi trajnimin për orientim të aktiviteteve punuese të “Qendrave për Diasporë” në nivel lokal

I nderuar Ministër i MSHIA-së z. Admirim Aliti, të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, drejtorë gjeneralë, e nderuar përfaqësuese e IOM-it nga zyra rajonale e Vjenës znj. Marija Aleksandra Baserman, të ftuar dhe pjesëmarrës, përshëndetje!

Sot kam kënaqësinë të hap këtë ngjarje, e cila besoj se është e një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë ne dhe do të shërbejë jo vetëm si njohje me temën përkatëse dhe orientim në aktivitetet e punës së qendrave për diasporë në aspektin teorik, por besoj se edhe në praktikë do të dëshmohet si një mundësi e mirë për të forcuar kapacitetet institucionale dhe të jetë orientim i garantuar i potencialit të të gjithë pjesëmarrësve qendror dhe lokal drejt dhënies së një kontributi të përbashkët për rrjetëzimin e mëtejshëm ndërinstitucional dhe veprimin e vazhdueshëm të koordinuar në të mirë të diasporës sonë.

Natyrisht, si shoqëri që përpiqet të ndjek në hap vendet e zhvilluara evropiane, duhet të dimë të përballemi me pengesat në rrugën e progresit dhe të përpiqemi t'i zgjidhim problemet aktuale me një vizion të qartë të rezultateve afatgjate të cilat nuk do të jenë të varura nga përfundimi i mandatit të çdo funksioni politik, por të vazhdojnë të synojnë produktivitetin dhe përparimin në çdo fushë, përfshirë edhe projektin tonë.

Kabineti im si zyrë përgjegjëse për mbështetjen e diasporës njohu nevojën e organizimit të këtij lloj trajnimi në bashkëpunim me IOM-in dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe administratës, marrë parasysh rolin tonë në zbatimin e Strategjisë nacionale për bashkëpunim me diasporën dhe me marrëveshjen tashmë të plotfuqishme për bashkëpunim me diasporën ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe komunave, të cilën personalisht pata nderin ti nënshkruaj së bashku me kryetarët e komunave, andaj shpresoj që të jetë vetëm një hyrje në kapitullin e ardhshëm të një game të gjerë metodash funksionale të mbështetjes për diasporën tonë.

Zyrat, që në bazë të marrëveshjes së lartpërmendur, vetëm se ka filluar me punën e tyre aktuale, që mund ti përllogarisim si një lloj OneStopShop-i apo si qendra për diasporë, si të tilla do të shërbejnë për të lehtësuar dhe mundësuar qasje në informacione dhe mundësi për përfitime qeveritare për të gjithë të interesuarit. Kujtoj se këto lloj zyrash tashmë janë një praktikë e garantuar në të gjithë Evropën dhe vazhdimisht veprojnë në drejtim të dhënies së rezultateve pozitive.

Jam i bindur se kjo mënyrë transparente e përshtatjes kreative të shërbimeve për diasporën tonë është e vetmja mënyrë për t'i afruar institucionet me qytetarët e diasporës, gradualisht, por sigurtë dhe të kthejnë besimin e qytetarëve të diasporës tek shteti.
Dua që të gjitha sfidat dhe pengesat e paparashikuara të deritanishme të llogariten si dobësi, por motivim dhe guxim për angazhim edhe më të madh dhe të shërbejnë si faktorë suksesi në të ardhmen, duke na ndihmuar kështu të ndërtojmë efikasitet në punë, duke tejkaluar kështu polarizimin eventual politik.

Në fund, uroj që të keni një ditë interesante për tu njoftuar mes veti, për të shkëmbyer përvoja reciproke dhe të keni shoqërim produktiv!

Albanian