EDMOND ADEMI: ME STRATEGJINË PËR DIASPORËN, PO VENDOSIM KONCEPT TË RI BASHKËPUNIMI SHTET-DIASPORË
Ministri Edmond Ademi, sot në konferencë për media, kumtoi se në seancën e djeshme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, qeveria miratoi Strategjinë shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me diasporën dhe Planin e veprimit.
Ministri Ademi ka theksuar se nga pavarësia deri më sot, strategjia është dokumenti i parë i miratuar nga ana e qeverisë. Dokument ky që do të ndërtojë bashkëpunim institucional mes shtetit dhe diasporës.
“Strategjia paraqet bazë për lidhjen e diasporës me shtetin, kundër partizimeve dhe ndarjeve në diasporë, të nxitura në të kaluarën. Me pjesëmarrjen e organizatave nga diaspora dhe individëve të spikatur nga diaspora, mund të ngrejmë bashkëpunimin në mes shtetit dhe diasporës në një nivel më të lartë, nga e cila do të përfitojë edhe diaspora edhe Republika e Maqedonisë së Veriut”, potencoi Ademi.
Ministri Ademi ka informuar edhe për procesin e përpunimit të strategjisë, duke vënë theksin mbi atë se ishte gjithëpërfshirës, ishin të përfshirë përfaqësues nga organizatat e diasporës, përfaqësues nga OJQ-të në vend, ekspertë nga fusha të ndryshme, si dhe ekspertë nga organizata ndërkombëtare për migrim (IOM).
Ministri gjithashtu shpjegoi 4 shtyllat në të cilat bazohet strategjia; (1) Çështje politiko- juridike dhe konzullore, (2) Diaspora dhe zhvillimi ekonomik, (3) Arsimi, shkenca dhe të rinjtë dhe (4) Lidhjet kulturore, identiteti kulturor dhe trashëgimia kulturore.