Diaspora paraqet urë lidhëse midis dy vendeve miqësore

13 qershor 2018

Ministri në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për Marrëdhëniet me Diasporën, Edmond Ademi, sot realizoi takim pune me ambasadoren e Kanadasë në Beograd, znj.Kati Çaba, e cila mbulon edhe Republikën e Maqedonisë në mënyrë jorezidente.

Ministri Ademi i uroi sukses në kryerjen e funksionit të ri si ambasadore në Republikën e Maqedonisë dhe dinamizmin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve miqësore në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë.

Në fillim të bisedës, ambasadorja kanadeze Çaba shfrytëzoi këtë mundësi në emër të Qeverisë kanadeze të përgëzojë Qeverinë dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë për Marrëveshjen historike të arritur midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe hapjen përfundimtare të dyerve për anëtarësim të plotë të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE.

Në të njëjtën kohë, theksoi se Maqedonia do të ketë mbështetjen e plotë nga Qeveria e Kanadasë në proceset euroatlantike dhe në të gjitha aktivitetet e tjera në korniza ndërkombëtare, ku Kanada do t’i përdorë ndikimet e saj diplomatike në interes të Maqedonisë.

Në takim Ministri Ademi njoftoi bashkëbiseduesen për aktivitetet e ndërmarra nga kabineti i tij për rregullimin ligjor, Strategjinë Kombëtare për Bashkëpunim me Diasporën, lidhjen e saj me institucionet shtetërore dhe përdorimin e të gjithë kapaciteteve të Diasporës në interes të vendit tonë.

Gjithashtu theksoi se Kanada si shtet është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë për shkak të prezencës së madhe të Diasporës me prejardhje nga Maqedonia, e cila është e vendosur dhe e integruar pozitivisht në shoqërinë multi-kulturore dhe multi-etnike kanadeze dhe që është urë lidhëse midis dy vendeve tona miqësore, në plan ekonomik dhe në projektet për investime të huaja.

Ministri Ademi dhe ambasadorja Çaba biseduan për vizitën e mundshme në Kanada në periudhën që vijon, si dhe disa ide për realizimin e takimeve me zyrtarë të lartë të Qeverisë Kanadeze me qëllim të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në më shumë fusha me interes të ndërsjelltë.

Albanian
АКТУЕЛНОСТИ: